36
1 Ndodhi në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, që kjo fjalë ju drejtua nga Zoti duke thënë: 2 “Merr një rrotull shkrimi dhe shkruaj mbi të tërë fjalët që të kam thënë kundër Izraelit, kundër Judës dhe kundër të gjitha kombeve, nga dita që të kam folur, nga ditët e Josias e deri më sot. 3 Ndofta shtëpia e Judës do të dëgjojë gjithë të keqen që unë mendoj t’u bëj atyre, dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre”. 4 Atëherë Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi mbi një rrotull shkrimi, nën diktimin e Jeremias, tërë fjalët që Zoti i kishte thënë. 5 Pastaj Jeremia i dha këtë urdhër Barukut: “Unë jam i penguar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Zotit. 6 Prandaj do të shkosh ti të lexosh, nga rrotulla që ke shkruar nën diktimin tim fjalët e Zotit në veshët e popullit në shtëpinë e Zotit, ditën e agjërimit, do t’i lexosh dhe në veshët e tërë atyre të Judës që vijnë nga qytetet e tyre. 7 Ndofta do t’i paraqesin lutjet e tyre për falje Zotit dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, sepse i madh është zemërimi dhe tërbimi që Zoti ka shqiptuar kundër këtij populli”. 8 Baruku, biri i Neriahut, bëri, pra, tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia dhe lexoi nga libri fjalët e Zotit. 9 Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, në muajin e nëntë u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jeruzalemit dhe për gjithë popullin e ardhur nga qytetet e Judës në Jeruzalem. 10 Atëherë Baruku lexoi nga libri fjalët e Jeremias në veshët e tërë popullit, në shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në oborrin e sipërm, në hyrjen e Portës së Re të shtëpisë së Zotit. 11 Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri. 12 Zbriti pastaj në shtëpinë e mbretit, në dhomën e shkruesit, dhe ja, aty rrinin ulur tërë princat: Elishama shkruesi, Delahaju, biri i Shemajahut, Elnathani biri i Akborit, Gemariahu biri i Shafanit, Sedekia biri i Hananiahut, dhe tërë princat e tjerë. 13 Mikajahu u tregoi tërë fjalët që kishte dëgjuar, ndërsa Baruku lexonte librin në veshët e popullit. 14 Atëherë tërë princat i dërguan Barukut Jehudin, birin e Nethaniahut, bir i Shelemiahut, bir i Kushit, për t’i thënë: “Merr në dorë rrotullën që lexove në veshët e popullit dhe eja”. Kështu Baruku, bir i Neriahut, mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata. 15 Ata i thanë: “Ulu dhe lexoje para nesh”. Dhe Baruku e lexoi në veshët e tyre. 16 Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: “Duhet t’ia tregojmë pa tjetër mbretit tërë këto fjalë”. 17 Pastaj pyetën Barukun duke i thënë: “Na thuaj tani si i shkrove tërë këto fjalë: nën diktimin e tij?”. 18 Baruku u përgjigj: “Ai më tha tërë këto fjalë me gojën e tij, dhe unë i kam shkruar me bojë në libër”. 19 Atëherë princat i thanë Barukut: “Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian, dhe askush të mos dijë se ku jeni”. 20 Pastaj shkuan te mbreti, në oborr, mbasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe ia njoftuan mbretit tërë ato fjalë. 21 Atëherë mbreti dërgoi Jehudin të marrë rrotullën; dhe ky e mori në dhomën e shkruesit Elishama. Pastaj Jehudi e lexoi në veshët e mbretit dhe të gjithë princave që ishin pranë mbretit. 22 Mbreti rrinte ulur në pallatin e tij të dimrit, (ishte muaji i nëntë), me një mangall para tij që digjej mirë. 23 Kur Jehudi lexoi tri o katër shtylla, mbreti e preu rrotullën me thikën e shkruesit dhe e hodhi në zjarrin që ishte në mangall, deri sa ajo u dogj krejt nga zjarri që ishte në mangall. 24 As mbreti dhe askush nga shërbëtorët e tij që i dëgjuan tërë këto fjalë nuk u trembën ose t’i grisnin rrobat e tyre. 25 Dhe megjithëse Elnathani, Delajahu dhe Gemariahu e lutën shumë mbretin që të mos e digjte rrotullën, ai nuk deshi t’i dëgjonte. 26 Madje mbreti urdhëroi Jerahmeelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, të kapnin shkruesin Baruk dhe profetin Jeremia. Por Zoti i fshehu. 27 Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë: 28 “Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës. 29 Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: “Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?”. 30 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës. 31 Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan”. 32 Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.